1-andrea_della_robbia_madonna_con_san_francesco.jpg

Jezu Krishti u ngjall, Aleluja, Aleluja!

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Ditën e parë të javës, në mëngjes, ende pa dalë drita, erdhi Maria Magdalenë te varri dhe pa se guri ishte hequr prej varrit. Atëherë erdhi me vrap te Simon-Pjetri dhe tek ai nxënësi tjetër, të cilin Jezusi e donte, dhe u tha: “E kanë marrë Zotërinë prej varrit e nuk dimë se ku e kanë vënë.” Atëherë dolën Pjetri dhe ai nxënësi tjetër e u nisën drejt varrit. Vraponin të dy bashkë, por ai nxënësi tjetër ia kaloi Pjetrit dhe arriti i pari te varri. Ai u përkul dhe pa pëlhurat e vëna aty, por nuk hyri. Ndërkaq mbërriti edhe Simon-Pjetri që po vinte mbas tij dhe hyri në varr. I pa pëlhurat e vëna dhe rizën që pati qenë në krye të Jezusit. Kjo nuk ishte me pëlhura, por veçmas e palosur në një vend. Atëherë hyri edhe ai nxënësi tjetër, që mbërriti i pari te varri, pa e besoi. Në të vërtetë, ende nuk e kishin kuptuar Shkrimin shenjt: se duhej që Ai të ngjallej së vdekuri.   Fjala e Zotit.   (Lavdi të qoftë ty, o Krisht.)

Ungjilli dëshmon se dishepujt e Jezusit mbetën të mahnitur nga ringjallja e Jezusit. “Në fakt nuk e kishin kuptuar akoma Shkrimin Shenjt, pra që ai duhej të ringjallej nga të vdekurit. Ashtu si Marta, dishepujt besonin në ringjalljen e ditës së fundit; por ringjalljen si atë të Jezusit as nuk e imagjinonin.  Kishin parë Lazrin të dilte prej varrit, por zemrat e tyre nuk ishin hapur ndaj përmasave të misterit të Hyjit që shpëton e kërkon një besim më të vërtetë.

Sipas traditave të hebrenjve Maria e Magdalas një ditë pas varrimit shkon herët në mëngjes në varrin e Jezusit për të takuar personin e dashur që ka vdekur, por gjen varrin bosh: i Kryqëzuari është ringjallur. Duke mos gjetur trupin e Jezusit në varr, Maria mendoi se dikush e kishte marrë dhe hequr prej aty e jo se ishte ringjallur. Dhe kështu edhe neve varri bosh na kujton besimin e Pashkëve: Njeriu, Jezusi i Nazaretit, që armiqtë e tij e kishin dënuar me vdekje mbi kryq nuk është më i burgosur i vdekjes, por është ringjallur dhe është i gjallë në mes të tijve.

Të kremtojmë Pashkët do të thotë për ne të vrapojmë drejt varrit bosh ashtu si dishepujt, të përkulemi mbi veshjen e të vdekurit dhe të zbulojmë me dritën e Shpirtit praninë e të Gjallit, e Atij që ka fituar mbi vdekjen.  Edhe ne jetojmë shpesh në situata vdekjeje pa shpresë. Zoti i ringjallur na dhuron vetveten në Eukaristi dhe na dhuron gëzimin e shpresës.

Gëzuar Pashkët për shumë vjet!

Add comment


Security code
Refresh